Vedat Muriqi po përgatitet t’i japë lamtumirën Spanjës për t’u rikthyer sërish në Turqi, ku pritet të veshë fanellën e Fenerbahçes. Sulmuesi i Kosovës ka arritur akordin personal, ndërsa edhe klubet janë pranë finalizimit të marrëveshjes që do ta kthejë atë në Stamboll.
Sipas raportimeve, marrëveshja për kartonin e 32-vjeçarit kap shifrën e rreth 15 milionë eurove, një shumë që i jep frymëmarrje Majorkës, e cila po synon rindërtimin e skuadrës pas rënies nga kategoria.
Fitues edhe Lacio nga klauzola e veçantë
Nga ky transferim përfiton gjithashtu edhe Lacio, klub ku Muriqi luajti para transferimit në Spanjë. Kur sulmuesi u shit te Majorka në vitin 2022 për rreth 8 milionë euro, klubi italian ruajti një klauzolë prej 45% të vlerës së shitjes së ardhshme.
Si rezultat, Lacio pritet të arkëtojë rreth 7 milionë euro nga ky transferim, duke dëshmuar edhe një herë rëndësinë e klauzolave të përqindjes në shitjet e futbollistëve, një praktikë gjithnjë e më e zakonshme në futbollin modern.
Mësimi i klauzolave në futbollin modern
Strategjia e ruajtjes së përqindjes nga shitjet e ardhshme është kthyer në një model biznesi për klubet e mëdha, por shpesh ka qenë një mësim i vonuar për disa klube më të vogla, përfshirë edhe ato shqiptare.
Rasti i Muriqit shihet si një shembull i qartë i vlerës së kësaj praktike, pasi vetëm nga lëvizjet e tij në merkato janë qarkulluar mbi 50 milionë euro në total transferimesh.
E kaluara në Shqipëri dhe humbja e përfitimeve
Në fokus mbetet edhe periudha e Muriqit te Teuta e Durrësit, ku sipas raportimeve, klubi jo vetëm që nuk e vlerësoi maksimalisht potencialin e tij, por më vonë hoqi dorë edhe nga çdo e drejtë financiare mbi kartonin e lojtarit.
Pas vetëm një sezoni, durrsakët i dhanë lirinë e plotë lojtarit, duke hequr dorë nga çdo përfitim i mundshëm nga transferimet e ardhshme, përfshirë edhe të drejtat e “formimit” të futbollistit.
Kjo bëri që Teuta të mos përfitojë asnjëherë financiarisht nga karriera ndërkombëtare e Muriqit, ndryshe nga klubet e tjera europiane që kanë përfituar miliona nga lëvizjet e tij në merkato.
