Autoritetet meksikane kanë zbuluar një tunel nëntokësor që dyshohet se lidh qytetin e Tijuanës me një zonë në San Diego, Kaliforni, në një operacion që ka nxjerrë në dritë një rrjet të mundshëm të trafikimit ndërkufitar.
Sipas njoftimit zyrtar, agjentët e inteligjencës kryen një kontroll në një banesë në jug të kufirit mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara, ku konstatuan ekzistencën e tunelit. Hetuesit dyshojnë se objekti është përdorur si pikë operative për trafikimin e armëve, eksplozivëve dhe lëndëve narkotike.
Tuneli i zbuluar ka një gjatësi prej rreth 265 metrash dhe ndodhet në një thellësi mbi 6 metra nën tokë. Autoritetet bëjnë me dije se ai ishte i pajisur me ndriçim, sistem ventilimi dhe një mekanizëm elektronik rrëshqitës, që mundësonte lëvizjen e fshehtë të materialeve dhe personave nën kufi.
Prokuroria Publike e Meksikës ka nisur hetimet për të identifikuar personat e përfshirë dhe për të zbardhur plotësisht aktivitetin kriminal që dyshohet se zhvillohej përmes këtij tuneli.
Rasti konsiderohet një tjetër goditje ndaj rrjeteve të krimit të organizuar që operojnë përgjatë kufirit mes Meksikës dhe SHBA-së, një zonë që prej vitesh mbetet në qendër të luftës kundër trafikimit të drogës dhe kontrabandës.
