Piloti italian Fabio Di Giannantonio shprehu emocionet e tij pas triumfit në garën e MotoGP në Barcelonë, duke mos fshehur lumturinë për rezultatin, por edhe shqetësimin për incidentet gjatë garës.
“Jam i lumtur, por njëkohësisht edhe i shqetësuar për pilotët. Shpresoj që Álex Márquez të jetë mirë dhe që të gjithë të jenë në gjendje të mirë. Jemi gjithmonë në një situatë rreziku, por jam shumë i kënaqur për veten, sepse e kërkonim këtë rezultat prej kohësh”, deklaroi Di Giannantonio, pilot i skuadrës VR46 Racing Team.
Nga bokset nuk mungoi as reagimi i legjendës së MotoGP-së, Valentino Rossi, i cili përjetoi me tension të madh ndërprerjet dhe momentet dramatike të garës.
“Sa frikë, ishte vërtet e vështirë. Di Giannantonio u tregua një ‘kafshë’, shumë i fortë në rikthim. Ishte shumë i shpejtë dhe realizoi të gjitha parakalimet në mënyrën e duhur. Një fitore shumë e madhe dhe emocionuese”, u shpreh Rossi për pilotin e skuadrës së tij.
Triumfi në Barcelonë konsiderohet një rezultat shumë i rëndësishëm për Di Giannantonion dhe ekipin VR46, që prej kohësh synonin një sukses të tillë në kampionatin botëror të MotoGP.
