Një nga futbollistët shqiptarë më të spikatur të këtij sezoni në Turqi, Arda Kurtulan, mund të rikthehet në radarët e Kombëtares shqiptare pas zhvillimeve të fundit.
Mbrojtësi i djathtë me origjinë shqiptare, i cili në të kaluarën ka qenë pjesë e rregullt e Shpresave të Shqipërisë, pret prej më shumë se dy vitesh një ftesë nga trajneri Sylvinho, por deri më tani nuk është konsideruar si opsion nga stafi kuqezi.
Pavarësisht kësaj, Kurtulan ka zhvilluar një sezon pozitiv në Superligën turke me fanellën e Göztepe S.K., ku ka qenë titullar i rregullt dhe një nga elementët më të dalluar të skuadrës.
Në këtë sezon, 23-vjeçari ka regjistruar 31 ndeshje, duke realizuar 4 gola dhe 2 asistime, statistika që kanë shtuar zërat në Turqi për një grumbullim të tij me përfaqësuesen turke për FIFA World Cup 2026.
Megjithatë, trajneri i Turqisë, Vincenzo Montella, nuk e ka përfshirë Kurtulan në listën paraprake të skuadrës për Botërorin, duke lënë të hapur mundësinë që lojtari të zgjedhë Shqipërinë.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse Sylvinho do t’i japë prioritet brezit të ri dhe alternativave të reja në ndeshjet miqësore të muajit qershor.
