PD midis “Rinovimit me veteranë” dhe pushtetit pa fitore!
Partia Demokratike pretendon se po rilind, por çdo ditë e më shumë po ngjan me një muze politik: të njëjtat fytyra, të njëjtat premtime për “rrëzim”, të njëjtat protesta, por me gjithnjë e më pak njerëz. Ndërkohë, ata që duan vërtet ndryshim akuzohen si të rrezikshëm, të shitur, apo “të parakohshëm”.Rilindje me të njëjtët humbës! Nëse do t’i besoje retorikës zyrtare të Partisë Demokratike, sot opozita është në kulmin e energjisë, “më e fortë se kurrë” dhe “në prag të fitores”. Problemi është se këtë histori e dëgjojmë të paktën që prej vitit 2013, ndërsa rezultati ka qenë i njëjtë: zgjedhje të humbura, shpresë e thyer, militantë gjithnjë e më të lodhur. PD vazhdon të sillet sikur shqiptarët kanë memorie të shkurtër, duke rikthyer në skenë të njëjtat figura të konsumuara që kanë administruar çdo humbje, por asnjë reformë të vërtetë. “E reja” në këtë parti matet jo me ide, eksperiencë apo integritet, por me aftësinë për t’u rreshtuar pas fraksionit të radhës dhe për të heshtur para gabimeve.
Pushteti opozitar, komoditet pa llogaridhënie!
Në këto kushte, është krijuar një realitet i ri: pushteti opozitar. Nuk është pushtet që fiton zgjedhje, por pushtet që jeton me humbje. Një status ku mund të akuzosh pa fund, por s’ke detyrim të ndryshosh asgjë; ku mund të ngresh zërin në podium, por të ulësh kokën kur bëhet fjalë për përgjegjësi konkrete.“Ne do ta rrëzojmë Ramën, nuk ka të ndalur rezistenca!” thuhet në çdo thirrje për protestë, nga një mesazh i PD drejtuar strukturave të saj për protestën kombëtare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Po kjo rezistencë, që thuhet se nuk ndalet, si shpjegohet që çdo herë duket më e vogël, më rutinë, më pa besueshmëri?Sepse një pjesë e atyre që e drejtojnë PD-në sot nuk jetojnë nga fitorja politike, por nga menaxhimi i humbjes. Humbja e garanton statusin e përhershëm të “opozitarit të përndjekur”, por në prapaskenë hap dyer për pazare, kompromise, poste në institucione të pavarura apo borde, dhe pazgjidhshmëri të konfliktit me pushtetin.
Protesta: nga shpërthim shprese, në ritual lodhjeje!
Këtu futet në lojë argumenti i “protestës”. Dikur, protesta e opozitës ishte shenjë e një revolte reale shoqërore. Sot është kthyer në një seri eventesh të programuara, me të njëjtin skenar: thirrje për “protestë historike”, tubim para Kryeministrisë, retorikë për “rrëzim të afërt”, disa përplasje me policinë, një marshim, pak tym, disa molotovë dhe një shpërndarje me gaz lotsjellës dhe uje djegës të turmës. Pjesëmarrja, ndërkohë, tkurret protestë pas proteste. Media e ka vënë re prej kohësh se “kthimi i protestave të opozitës nuk po krijon frymë dhe nuk po motivon masën e njerëzve”, duke e lënë qeverinë e konsumuar përballë një opozite që nuk frymëzon më askënd veç militantëve shumë të bindur. Arsyeja është e thjeshtë: demokratët nuk mund të karikohen pafund me të njëjtin premtim për “rrëzim” të Ramës, ndërkohë që prej 13 vitesh rezultati është i njëjtë, Rama mbetet në pushtet, PD mbetet në opozitë, dhe e vetmja gjë që ndryshon është numri në ulje i protestuesve. Fryrja e përhershme me premtime maksimale është kthyer në tallje sistematike me ndjeshmërinë dhe pritshmërinë e atyre që vërtet duan ndryshim.Sot kemi një paradoks: sa herë shpallet “protestë kombëtare”, numri real i pjesëmarrësve e përgënjeshtron fjalën “kombëtare”. Opozita organizon marshime, shpesh në orët e mbrëmjes, në mënyrë që protesta të shihet nga televizori më shumë se nga dritaret e institucioneve, siç e ka ironizuar publikisht edhe Kreshnik Spahiu. Është protesta si skenografi, jo si mjet ndryshimi.
Të rinjtë: Kërcënimi më i madh i status quo-së!
Ndërkohë, të rinjtë dhe figurat e reja që mund të sillnin frymë të ndryshe, shihen me dyshim dhe armiqësi. Kush vjen nga jashtë sistemit të vjetër, shpesh etikohet si “i futur nga PS”, “i sponsorizuar”, “aventurier”. Shumë prej tyre janë goditur publikisht, në vend që të promovohen si aset i partisë.Kjo është arsyeja pse PD duket më shumë si klub i mbyllur i të vjetërve sesa si parti moderne e djathtë. Struktura preferon të mbajë pranë militantin e vjetër të pa pyetje, sesa profesionistin e ri me integritet që mund të kërkojë llogari. Një parti që e sheh energjinë e re si rrezik, e ka të garantuar lodhjen e bazës dhe zhgënjimin e elektoratit.
Dy botë brenda së njëjtës parti!
Brenda PD ekzistojnë sot dy botë paralele:Bota e atyre që duan pushtetin për ta ndarë, për ta përdorur si monedhë pazari, për të garantuar komfortin personal, për të jetuar nga statusi i “opozitarit” pa rrezikuar asgjë reale.Dhe bota e atyre që duan fitoren si ndryshim real qeverisjeje, si rotacion politik, si rikthim i shpresës së njerëzve që sot ndihen të braktisur midis një mazhorance të konsumuar dhe një opozite të pabesueshme.Të parët sundojnë strukturat, listat, komunikimin, “strategjinë”. Të dytët janë baza, votuesit potencialë, njerëzit që vijnë gjithnjë e më rrallë në protestë dhe gjithnjë e më me dyshim në qendrat e votimit.Kontradikta që po e fundos PD-nëKontradikta mes “të vjetrës” dhe “të resë”, mes “pushtetit opozitar” dhe atyre që duan fitore reale, është sot problemi kryesor i Partisë Demokratike. Ajo nuk zgjidhet me një protestë tjetër, as me një status triumfues në rrjete sociale për “turmën madhështore” që kamerat nuk e gjejnë dot.Nëse PD vijon të tallet me pritshmëritë e demokratëve, duke i mbajtur në një gjendje karikimi të përhershëm për një “rrëzim” që nuk vjen kurrë, rezultati do të jetë i njëjtë: më pak njerëz në shesh, më pak vota në kuti, më shumë cinizëm në shoqëri. Në këtë ritëm, së shpejti protesta do të ketë më shumë folësa se pjesëmarrës.Pyetja nuk është pse qytetarët nuk i mbështesin më këta që ndajnë pushtetin me qeverinë, por deri kur do pranojnë demokratët të mashtrohen me të njëjtën formulë humbjeje të paketuar si “rezistencë historike”.
