Lëvizte me makinë mbi trotuar, gjobitet me 60 mijë lekë shoferi në Berat
Lëvizte me makinë mbi trotuar, gjobitet me 60 mijë lekë shoferi në Berat
Një drejtues automjeti është gjobitur me 60 mijë lekë nga Policia Rrugore në Berat, pasi u filmua duke qarkulluar me makinë mbi trotuar.
Pamjet e shkeljes u publikuan në TikTok, ku automjeti shihej duke lëvizur në një zonë të frekuentuar nga këmbësorët.
Pas publikimit të videos, Policia Rrugore nisi verifikimet për identifikimin e drejtuesit. Shoferi, me inicialet I. L., u shoqërua në komisariat për procedurat përkatëse.
Gjatë verifikimit rezultoi gjithashtu se automjeti nuk kishte kryer kontrollin teknik dhe nuk dispononte siguracion. Përveç gjobës, drejtuesit iu tërhoq edhe leja e qarkullimit.
Njoftimi i policisë
Berat/Lëvizi me automjet, në trotuar, në qytet, ndëshkohet me masë administrative 60 000 lekë dhe i tërhiqet leja e qarkullimit.
Pas publikimit në rrjetin social “TikTok”, të një videoje në të cilën shfaqej një automjet që lëvizte në trotuar, në një rrugë në qytetin e Beratit, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e qytetarëve, shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Berat kryen veprimet hetimore për identifikimin e drejtuesit të automjetit.
Në përfundim të veprimeve, u identifikua drejtuesi i automjetit, shtetasi I. L., i cili u shoqërua në Komisariat, ku u kryen veprimet e mëtejshme procedurale.
Në përfundim, shtetasi I. L. u ndëshkua me masë administrative 60 000 lekë, si dhe iu tërhoq leja e qarkullimit, pasi nga kontrolli i dokumentacionit të automjetit, rezultoi pa kontroll teknik dhe pa siguracion.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat falënderon qytetarët për kontributin e tyre në evidentimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor dhe i fton ata të vijojnë të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë, në numrin 112.

