Parlamenti hungarez ka votuar unanimisht heqjen e imunitetit të tre deputetëve, mes tyre edhe kryeministrit Peter Magyar, duke i hapur rrugë vijimit të një hetimi ndaj tij për dyshimet për vjedhje.
Magyar po hetohet për një incident të ndodhur në qershor 2024 në një klub nate në Budapest. Sipas prokurorisë, ai dyshohet se i mori telefonin një personi që po e filmonte gjatë një përplasjeje dhe më pas e hodhi pajisjen në lumin Danub.
Kërkesa për heqjen e imunitetit u miratua me 139 vota pro dhe asnjë kundër. Telefoni, me vlerë mbi 100 mijë forinta, rreth 250 euro, u gjet më vonë dhe iu kthye pronarit në gjendje funksionale.
Çështja ishte dërguar më parë në Parlamentin Europian, kur Magyar ishte eurodeputet, por kërkesa për heqjen e imunitetit të tij ishte refuzuar. Pas përfundimit të mandatit europian dhe zgjedhjes së tij në parlamentin hungarez, prokuroria e rihapi procedurën.
Magyar mohon të ketë kryer ndonjë krim dhe e ka cilësuar çështjen si një përpjekje politike për ta dëmtuar atë. Ai deklaroi para votimit se merr përgjegjësinë për veprimet e tij, por mohon që ato të përbëjnë vjedhje.
Deri tani, Magyar nuk është akuzuar zyrtarisht. Hetimi pritet të vijojë pas heqjes së imunitetit parlamentar.

