TRAGETI FUNDOSET NË BRIGJET E QIPROS SË VERIUT, TË PAKTËN 8 TË VDEKUR DHE 18 TË ZHDUKUR

TRAGETI FUNDOSET NË BRIGJET E QIPROS SË VERIUT, TË PAKTËN 8 TË VDEKUR DHE 18 TË ZHDUKUR

Të paktën tetë persona kanë humbur jetën dhe 18 të tjerë rezultojnë të zhdukur pas përmbysjes dhe fundosjes së një trageti pasagjerësh në brigjet e veriut të Qipros. Aksidenti i rëndë detar ndodhi të dielën, pak pasi anija ishte nisur nga qyteti bregdetar i Kyrenias, me destinacion Turqinë.

Në bord ndodheshin 259 pasagjerë dhe tetë anëtarë ekuipazhi. Kryeministri i administratës turke në veri të Qipros, Ünal Üstel, konfirmoi bilancin tragjik, duke deklaruar se pjesa më e madhe e personave që ndodheshin në traget janë shpëtuar. Ndërkohë, operacioni i kërkim-shpëtimit vijon në det, në bashkëpunim me autoritetet turke.

Sipas dëshmive të para, trageti u përball me kushte të vështira atmosferike dhe det të trazuar. Üstel deklaroi për mediat turke se anija u godit nga dy dallgë të fuqishme. Pas goditjes së parë, kapiteni po përpiqej të rimerrte kontrollin e mjetit lundrues, por një dallgë e dytë e goditi anijen, e cila nisi të marrë ujë. Brenda pak minutash, situata doli jashtë kontrollit dhe trageti u përmbys.

Anija ishte nisur nga Kyrenia rreth orës 12:30 sipas orës lokale dhe më vonë u fundos plotësisht. Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, ndërsa po përpiqen të gjejnë dhe të nxjerrin nga deti kutinë e zezë të tragetit, e cila mund të japë të dhëna të rëndësishme mbi momentet e fundit para fundosjes.

Në operacionin e kërkim-shpëtimit janë angazhuar helikopterë dhe mjete të rojës bregdetare turke. Në breg janë vendosur gjithashtu ambulanca dhe ekipe mjekësore për të asistuar personat e nxjerrë nga deti.

Kapiteni dhe ekuipazhi në ndalim

Në kuadër të hetimit, kapiteni i tragetit dhe shtatë anëtarët e ekuipazhit janë ndaluar nga autoritetet. Kryeministri Üstel deklaroi se do të hetohen të gjitha rrethanat që çuan në aksident dhe se asnjë element nuk do të lihet pa u shqyrtuar.

“Askush nuk do të kursehet, pavarësisht se kush është dhe kush rezulton përgjegjës”, deklaroi ai, duke nënvizuar se prioriteti kryesor i autoriteteve mbetet shpëtimi i personave që rezultojnë ende të zhdukur.

Ministri i Transportit i administratës turke në veri të Qipros, Erhan Arıklı, tha për mediat lokale se rreth 100 pasagjerë ishin nxjerrë në breg në fazat e para të operacionit.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan shprehu ngushëllimet për viktimat dhe familjarët e tyre, ndërsa konfirmoi se operacionet për gjetjen e personave të zhdukur po vijojnë.

Dëshmitari: Deti ishte shumë i trazuar

Një prej personave të përfshirë në operacionin e shpëtimit, Mustafa Koç, tha për BBC se me varkën e tij kishte arritur të shpëtonte rreth 65 persona. Ai ngriti pikëpyetje mbi vendimin për nisjen e tragetit në kushtet e motit të rënduar, duke argumentuar se ekuipazhi duhej të kishte pritur për përmirësimin e situatës detare.

“Deti ishte mjaft i trazuar. Nuk ishte e sigurt për ta”, deklaroi Koç.

Sipas dëshmitarit, trageti kishte mbërritur në Kyrenia një ditë më parë dhe kishte dëmtime në pjesën e përparme. Mjeti lundrues ishte një traget me shpejtësi të lartë, rreth 40 metra i gjatë dhe 10 metra i gjerë, i tipit Filo Jet, dhe lundronte nën flamurin turk.

Kompania private Filo Denizcilik, e cila operon anijen, deklaroi se është “thellësisht e pikëlluar” nga aksidenti tragjik dhe shprehu solidaritet me familjet e viktimave dhe personave të zhdukur.

Autoritetet kanë vënë në dispozicion edhe një linjë telefonike për familjarët e pasagjerëve. Deri tani nuk janë bërë të ditura plotësisht kombësitë e të gjithë personave që ndodheshin në bord, ndërsa vazhdojnë verifikimet për gjendjen e të shpëtuarve.

Pamjet e transmetuara nga televizionet lokale treguan tragetin të përmbysur në det, ndërsa disa persona me jelekë shpëtimi qëndronin mbi trupin e anijes. Më vonë, ministri Arıklı konfirmoi se trageti ishte fundosur plotësisht dhe se kërkimet për 18 personat e zhdukur vijojnë.

Veriu i Qipros kontrollohet nga administrata turke, e cila njihet ndërkombëtarisht vetëm nga Turqia. Ishulli i Qipros mbetet i ndarë që prej vitit 1974, ndërsa zona veriore dhe Republika e Qipros në jug ndahen nga një zonë tampon e mbikëqyrur nga Kombet e Bashkuara.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *