Tentativa e Ivi Kasos për të marrë degën e Partisë Demokratike përmes Irvin Bodes, me “bekimin” e Andrea Manos dhe Devis Osmanit, nuk është asgjë më shumë se një përpjekje e dëshpëruar për të manipuluar opinionin publik dhe për të mbuluar një të vërtetë që tashmë e dinë të gjithë demokratët në Korçë.
Kjo nuk është një betejë idesh, nuk është një garë vlerash dhe as një përplasje vizionesh për të ardhmen e Partisë Demokratike.
Kjo është një përpjekje e pastër për kapje, për kontroll dhe për uzurpim të një strukture politike që duhet t’u përkasë demokratëve dhe jo individëve me interesa të ngushta.
Problemi nuk janë demokratët. Problemi janë ata që, kur nuk fitojnë me votë, përpiqen të fitojnë me skema, presione dhe lidhje të errëta. Janë ata që e shohin procesin jo si garë të ndershme, por si një lojë ku rregullat ndryshohen sipas interesit të momentit.
Dhe këtu nuk ka më vend për aludime, as për relativizime. Lidhjet e Bodes, Manos dhe Osmanit me pushtetin janë një fakt që përjetohet çdo ditë në terren. Nuk janë thjesht thashetheme politike apo perceptime të krijuara artificialisht. Janë një realitet i prekshëm që shpjegon shumë qartë pse disa individë sillen sikur Partia Demokratike është pronë private dhe jo një institucion që duhet të përfaqësojë vullnetin e anëtarësisë së saj.
Këta individë, që në vitin 2024 u tërhoqën sepse nuk morën atë që kërkonin nga kupola drejtuese e PD-së, dhanë dorëheqjen dhe u larguan pa asnjë reflektim publik. Por sot, sapo afrohen zgjedhjet lokale janë rikthyer me një mendësi të vjetër dhe të rrezikshme: KÇK – “kap çfarë të kapësh”. Kjo nuk është politikë, ky është oportunizëm i pastër.
Devis Osmani ka kapur sepse përmes fondeve të IPARD ka marrë mbi 400 mijë euro (nën emrin e tij dhe të kushëririt të tij). Andrea Mano ndërtoi pallat në Tiranë përmes lejeve të siguruara nga Niko Peleshi. Irvin Bode ndërton në Korçë me lidhje të afërta me pushtetin.
Këto nuk janë thjesht akuza të hedhura në ajër. Janë indicie që ngrenë pyetje serioze për mënyrën se si ndërtohen marrëdhëniet mes politikës dhe interesit personal.
Këta nuk luftojnë për Partinë Demokratike. Këta luftojnë për kontrollin e saj. Sepse përmes kontrollit, vijnë pazaret. Përmes pazareve, vjen pushteti i rremë. Dhe përmes këtij pushteti të rremë, mbahen gjallë interesa që nuk kanë asnjë lidhje me demokratët e thjeshtë.
Në këtë skemë nuk mungojnë as figurat e vjetra, ata që për vite me radhë kanë “ngrënë llokmën e pushtetit” dhe tani kërkojnë rikthim me çdo kusht, pa asnjë reflektim dhe pa asnjë përgjegjësi për të shkuarën e tyre. Janë disa individë që i mbajnë nga pas si kone, të njohur nga e gjithë Korça, si Aurel Fidani dhe Arjan Haruni, të cilët janë shembulli më i qartë i një kulture politike të konsumuar, që nuk lëshon vend në kryesi. Njerëz që kanë qenë gjithmonë pranë favoreve, pranë interesave, pranë tavolinave ku ndahen përfitimet, por shumë rrallë pranë demokratëve të thjeshtë, atyre që mbajnë mbi supe barrën reale të partisë.
Sot dalin si “shpëtimtarë”, por në fakt janë pjesë e problemit. Janë pjesë e një cikli që përsëritet prej vitesh dhe që ka sjellë vetëm zhgënjim dhe largim të demokratëve nga proceset vendimmarrëse. Dhe për ta kompletuar këtë teatër politik, kemi edhe figurat që luajnë rolin më të vjetër në politikë: “hedhin gurin dhe fshehin dorën”.
Ledina Alolli është shembulli tipik i këtij modeli. Flet në mënyrë të tërthortë, nxit tension, ushqen narrativa, por nuk merr asnjëherë përgjegjësi. Një politikë e bërë me nënkuptime, me prapaskena, me kalkulime personale dhe me qëndrime të paqarta që synojnë të ndikojnë pa u ekspozuar.
Kjo është politika që ka lodhur demokratët. Kjo është arsyeja pse shumë njerëz janë distancuar dhe kanë humbur besimin. Sepse demokratët nuk kanë nevojë për intriga. Kanë nevojë për ndershmëri. Nuk kanë nevojë për manipulime liste. Kanë nevojë për votë të lirë dhe të garantuar. Nuk kanë nevojë për njerëz që lidhen me pushtetin në errësirë. Kanë nevojë për përfaqësues që përballen hapur me të, pa frikë dhe pa pazare.
Le ta themi qartë dhe pa ekuivok:
Partia Demokratike në Korçë nuk rrezikohet nga demokratët.
Rrezikohet nga ata që duan ta përdorin si trampolinë për interesat e tyre personale dhe për të forcuar lidhjet me pushtetin.
Rrezikohet nga ata që e shohin partinë si mjet dhe jo si mision. Nga ata që kërkojnë kontroll, jo përfaqësim. Dhe për çdo artikull, për çdo deklaratë apo për çdo tentativë që përpiqet të devijojë vëmendjen nga kjo e vërtetë, përgjigjja është vetëm një:
Demokratët nuk mashtrohen më.
Koha kur disa individë vendosnin në tavolinë dhe të tjerët duartrokisnin ka marrë fund.
Sot, çdo emër, çdo lidhje dhe çdo prapaskenë është në sytë e publikut. Transparenca nuk është më zgjedhje, është detyrim. Dhe këtë herë, nuk do të ketë as heshtje dhe as kompromis. Sepse kjo nuk është thjesht një betejë për një degë partie. Kjo është një betejë për dinjitetin e demokratëve dhe për të ardhmen e vetë Partisë Demokratike në Korçë.
