Radev ka triumfuar: me mbi 45 për qind të votave, ai ka siguruar shumicën e vendeve në Parlament, 129 nga 240, rezultati më i mirë në tridhjetë vitet e fundit. Shtysë për këtë fitore i dha premtimi për stabilitet, për të çrrënjosur korrupsionin e kthyer në sistem.
Është fundi i epokës së Boiko Borisovit, njeriu që me partinë e tij dominoi skenën politike bullgare për më shumë se një dekadë dhe që ishte kthyer në objektivin kryesor të fushatës së fituesit të madh të këtyre zgjedhjeve, ish-presidentit Rumen Radev.
Me një stil të vendosur si i një gjenerali, i mbështetur në përvojën e tij ushtarake, Radev ka triumfuar: me mbi 45 për qind të votave, ai ka siguruar shumicën e vendeve në Parlament, 129 nga 240, rezultati më i mirë në tridhjetë vitet e fundit. Shtysë për këtë fitore i dha premtimi për stabilitet, për të çrrënjosur korrupsionin e kthyer në sistem dhe për të çmontuar ndikimin e Delyan Peevskit, një nga oligarkët më të fuqishëm dhe më të debatueshëm të përfshirë në politikë në vend, i sanksionuar në vitin 2021 edhe nga Departamenti Amerikan i Thesarit për “trafik ndikimi dhe ryshfete për t’i shpëtuar kontrollit publik dhe për kapjen e institucioneve dhe sektorëve kyç të shoqërisë bullgare”.Në favor të tij ndikoi edhe një pjesëmarrje më e lartë se zakonisht — 48,5 për qind (pa përfshirë votat nga jashtë vendit) — në një shtet që pothuajse kishte humbur besimin tek fuqia e votës për të dalë nga ngërçi i qeverive jetëshkurtra, me tetë procese zgjedhore në pesë vite. Vetëm dje, Radev kishte përsëritur thirrjen: “Bullgaria ka një mundësi historike për të shkëputur modelin oligarkik. Ftoj të gjithë bullgarët të shkojnë të votojnë”, kishte apeluar lideri i partisë “Bullgaria Progresiste”, të themeluar prej tij vetëm një muaj më parë, kur vendosi të hynte në garë.
Radev fitoi me premtimin për t’u shndërruar në boshtin e ri të politikës bullgare. Dhe rezultatet në këtë vend me më pak se 7 milionë banorë, i vendosur në brigjet e Detit të Zi, tregojnë një kthesë të qartë. Mbrëmë vonë, në përfundim të numërimit, Radev kishte marrë 45 për qind të votave: një rezultat historik në një skenë politike të fragmentuar si ajo bullgare, që nuk ishte parë që nga viti 1997. Gati katër herë më shumë se konservatorët e Gerb-it: lëvizja e Borisovit, kryeministër për 11 vite mes 2009 dhe 2021, e konsideruar si shtylla e pushtetit oligarkik dhe të korruptuar në vend, u ndal në 12,3%, rezultati më i dobët ndonjëherë për partinë, duke u tejkaluar edhe nga koalicioni liberal-demokrat pro BE-së (Pp-Dp), që kishte një rol të madh në protestat e fundvitit, por që më pas humbi “momentumin” e saj. “Të fitosh zgjedhjet është një gjë, të qeverisësh është diçka krejt tjetër”, reagoi Borisov menjëherë në Facebook pas humbjes së rëndë, duke falënderuar “për çdo votë të vetme”.Kanë kaluar pragun prej 4% për të hyrë në Parlament edhe partia Dps e minoritetit turk, e kontrolluar nga Peevski (6%), si dhe nacionalistët e Vazrajdane, pro Rusisë dhe kundër BE-së, ndërsa ka mbetur jashtë Partia Socialiste (Bsp), e cila u ndal në 3%.Këto shifra i japin Radevit një mandat të fortë dhe një mundësi historike për të “pastruar” sistemin. “Kjo është një fitore e moralit. Njerëzit refuzuan arrogancën e partive të vjetra dhe nuk iu nënshtruan manipulimeve — u shpreh lideri i ‘Bullgaria Progresiste’ — Kjo është një fitore e shpresës ndaj mosbesimit. Ne votuam në mënyrë aktive, e mundëm apatinë, por mosbesimi ndaj politikës bullgare mbetet ende i lartë; rezultati zgjedhor është vetëm fillimi i një procesi më të thellë”, vërejti ai.
Radev falënderoi në mënyrë të veçantë bullgarët që jetojnë jashtë vendit. I pyetur për politikën e jashtme, në një intervistë për radion kombëtare, ai u përpoq të minimizojë distancën me kancelaritë evropiane, të shqetësuara nga qëndrimi i tij euroskeptik që shikon nga Moska. “Evropa do të ishte shumë më pragmatike — tha ai — nëse Bashkimi Evropian do të rifillonte dialogun me Moskën. Pyetni presidentin Macron, pyetni kryeministrin e Belgjikës, pyetni liderë të tjerë evropianë, përfshirë kancelarin Merz, i cili disa muaj më parë tha se ky dialog duhet të rikthehet, edhe për arkitekturën e re të sigurisë në Evropë”.

