Partitë si reparte ushtarake kur mendimi ndryshe bëhet herezi…
Nga PS tek PD, Spiropali e Salianji, e njëjta kulturë e frikës dhe e përjashtimitNë çdo demokraci funksionale, debati brenda partisë është shenjë shëndeti. Në Londër apo Berlin, deputetët që votojnë kundër linjës janë të përditshëm. Por në Tiranë, rasti i Elisa Spiropalit ndaj Edi Ramës (PS) dhe i Ervin Salianjit ndaj Sali Berishës (PD) trajtohen si fenomene ekzotike, pothuajse si tradhti. Dallimi? Në PS “rebeli” u riabsorbua pas një rezistence minimale. Në PD “rebeli” po shtypet me manovra procedurale. Por modeli themelor është i njëjtë: partia si repart, lideri si komandant.
PD ,mbyllja e afatit dhe “ndëshkimi” i Salianjit
Sot përfundoi afati për dorëzimin e kandidaturave për kreun e PD-së. Udhëzimi i KOKOE-së u bë publik vetëm një ditë para mbylljes, duke lënë më pak se 24 orë për të konkurruar. Kushti “të pastër ligjërisht” përjashton de facto Ervin Salianjin. Ai ka depozituar kandidaturën, duke e cilësuar procesin “farsë”. Evi Kokalari akuzon se avokati i saj nuk është lejuar të hyjë në seli. Të dy përfaqësojnë zërat që sistemi po përpiqet t’i mbyllë jashtë loje.
PS – Rasti Spiropali, kur “rebelimi” shuhet para se të lindë! Kur Elisa Spiropali pati një replikë kritike ndaj Edi Ramës, mediat reaguan sikur kishte ndodhur një tërmet. Por ajo nuk u përjashtua. Thjesht “u kthye në rresht”. Qëndrimi i saj pas episodit: heshtje, besnikëri e rikonfirmuar, lojë brenda rregullave të pashkruara. Ky është diversiteti i lejuar ,ai që nuk kërcënon monolitin. Kultura e “Komandantit” e pandashme nga të dyja partitëNë PD, frika realizohet me përjashtim formal. Në PS, me asfiksim simbolik dhe izolim mediatik. Rezultati: një klasë politike pa shtyllë kurrizore, që funksionon me sensorë ndaj humorit të liderit.
Pse përbën lajm një përgjigje normale? Një replikë e Spiropalit dhe një manovër procedurale kundër Salianjit pushtojnë titujt për ditë. Kjo tregon se heshtja është norma dhe fjala përjashtim, kur dikush “del nga rreshti”! Publiku nuk pyet “çfarë tha?”, por “pse guxoi?”.
Pasojat për shoqërinë Nëse brenda PS-së nuk lejohet kritika substanciale dhe brenda PD-së gara manipulohet, qytetari mbetet pa alternativë reale. Vdes meritokracia (përpara vjen besnikëria, pastaj aftësia). Rritet apatia kur njerëzit shohin se as brenda partive nuk ka liri, humbasin besimin te vota. Derisa partitë të pushojnë së qeni “reparte” ku njëra përjashton dhe tjetra e hesht opozitën e brendshme , ne do të mbetemi spektatorë të një teatri absurd.
Demokracia fillon aty ku mbaron duartrokitja me komandë.
Dhe aty ku një kritikë në PS nuk bëhet lajm, ashtu si një kandidaturë në PD nuk shuhet me manovra.
